• Vetëvendosje protestë kundër ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit
    Postuar nga tegjeta flash 11 ore me pare

    Prishtinë, 27 janar - Lëvizja Vetëvendosje! ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkangjiten të dielën në orën 12:00 protestës së organizuar nga qytetarët e nga shoqëria civile, në ruajtje të Qendrës Historike të Prizrenit, dhe kundër ligjit të ri që po synon të imponojë partia në pushtet.

    Lëvizja Vetëvendosje! ka thënë se e mbështet këtë protestë edhe në parim, edhe si aksion për arsye se Ligji bie në kundërshtim me parimet dhe frymën republikane e me kushtetutën, ai cënon laicitetin e shtetit, cënon neutralitetin në çështje të fesë, dhe është diskriminues, pra cënon barazinë përballë ligjit.

    Një ligj i tillë sipas kësaj levizje përbën material për hapje plagësh të vjetra e të reja, duke nxitur diferencimin e dasitë në baza etnike e religjioze.

    "Ndërkohë që në Kushtetutë parashihet laicizmi e neutraliteti i shtetit në çështje fetare, në ligjin që synohet të kalohet në parlament parashihet ngritja e një Komiteti që do të administrojë Qendrën Historike të Prizrenit, përbërja e të cilit do të jetë prej tre religjioneve, duke përjashtuar kështu religjione të tjera, e ç’është më e keqja, duke e zëvendësuar konceptin e qytetarisë, si koncept bashkues, me një koncept dallues, siç është religjioni."

    Lëvizja Vetëvendosje! konstaton me shqetësim se ky ligj cënon rëndë trashëgiminë kulturore, që i përket popullit të Kosovës, dhe e cila duhet të rregullohet e të mirëmbahet institucionalisht, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare e kombëtare, e jo sipas dëshirës së njërit apo tjetrit komunitet.

    Ky menaxhim që propozon partia në pushtet sipas Vetëvendosjes është në kunëdrshtim me Konventën e UNESCO-s e me një sërë dokumentesh të rëndësishme për trashëgiminë kulturore dhe ruajtjen e saj.

    "Ligji i ri për Qendrën Historike të Prizrenit, mbi të gjitha përbën një akt arbitrar kundër vullnetit të qytetarëve të shprehur në aktivitete të ndryshme, por edhe në një peticion që ka mbledhur mbi 10.000 firma gjatë vitit 2011."

    Kjo tendencë e rrezikshme e qeverisë sipas Vetëvendosjes e zhbën qytetin, e zhvesh atë prej qytetarëve, e në të njëjtën kohë nxit urrejtjen e konfliktet mes tyre.

    Projektligji jo vetëm që nuk ka marrë miratimin mbarëqytetar, por që gjatë kohës së hartimit të tij ka filluar të nxisë konflikte mes komuniteteve religjioze në qytet e më gjerë.

    "Ligji në fjalë pengon tërësisht zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të Qendrës së Prizrenit, dhe e merr peng këtë territor, duke ndjekur shembullin negativ të eksterritorialitetit të Kishave e Manastireve Ortodokse, që gjithashtu janë trashëgimi kulturore e Kosovës, por që janë eksterritorializuar, në emër të dasive etnike e fetare", thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

  • Termokos dhe QKUK marrëveshje për furnizimin me ngrohje
    Postuar nga tegjeta flash 11 ore me pare

    Prishtinë, 27 janar - Pas disa takimeve të përbashkëta në mes menaxhmentit të “Termokos” dhe QKUK-së, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje më të qëndrueshme për të furnizuar me ngrohje QKUK-në, të mërkurën pasdite është nënshkruar një marrëveshje, në saje të së cilës ngrohtorja emergjente për nevoja të QKUK-së do t’i lihet në dispozicion kësaj qendre mjekësore.

    Si rezultat i marrëveshjes në kohën, kur “Termokosi” aplikon reduktimet për gjithë konsumatorët e vet, do të aktivizohet prodhimi i energjisë ngrohëse nga ngrohtorja emergjente, që ndodhet në afërsi të QKUK-së.

    Derisa “Termokos” ka ofruar gjithë mbështetjen profesionale për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e prodhimit të energjisë ngrohëse nga kjo ngrohtore, QKUK-ja në bazë të marrëveshjes është e obliguar që të bëjë furnizimin me lëndë djegëse-naftë.

    Duke pasur parasysh nevojat e kësaj qendre mjekësore për furnizim të vazhdueshëm me ngrohje dhe specifikat e saj, arritja e kësaj marrëveshjeje është vlerësuar lartë nga të dyja palët.

  • Turqia do të vazhdojë të jetë në krah të shtetit të Kosovës
    Postuar nga tegjeta flash 11 ore me pare

    Prishtinë, 27 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadoren e Turqisë në vendin tonë, zonjën Songul Ozan.

    Presidentja Jahjaga dhe ambasadorja Ozan diskutuan për një varg çështjesh me interes për marrëdhëniet mes të dy vendeve tona.

    Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë kanë një bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha fushat dhe ky bashkëpunim po zgjerohet e po intensifikohet në vazhdimësi.

    Ajo vlerësoi edhe një herë se Turqia ka qenë në vazhdimësi një nga vendet që e ka përkrahur Kosovën në të gjitha proceset nëpër të cilat ajo ka kaluar, duke dhënë një kontribut të pakursyeshëm.

    Ambasadorja Ozan, nga ana e saj, falënderoi Presidenten Jahjaga për pritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe theksoi se Turqia do të vazhdojë edhe më tej të jetë në krah të popullit dhe të shtetit të Kosovës dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve tona do të njohë vetëm rritje.